Feronikeli ka humbur takimin e parë ndaj Slovan Bratislavas, të mbajtur në Narodny futbalovy stadion, në Bratislavë.

Rezultati final i ndeshjes ishte 2-1, duke lënë të hapur gjithçka për takimin e dytë që do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.

Rezultati u zhbllokua herët, kur vendësit arritën të kalojnë në epërsi në minutën e 9-të, me Nonon, që shënoi nga goditja e lirë. Dabiqaj ndërhyri më parë në Rafael Renaton.

Në pjesën e parë nuk pati më gola e as raste të shpeshta, duke shtyrë gjyqtarin e takimit, që të mos japë më shumë se një minut shtesë.

Në pjesën e dytë, në minutën e 60-të, kapiteni, Lapidar Lladrovci ndërhyri në Sporar, duke shtyrë gjyqtarin nga Greqia, Ionnanis, të japë një penalti tejet të lehtë për Slavia Bratislavan.

Nga pika e bardhë shënoi pikërisht Sporar, në minutën e 61-të.

Mirëpo, Nikli nuk u zbraps, përkundrazi arriti ta ngushtojë epërsinë në 2-1.

Fazliu harkoi në zonën e rreptësisë kundërshtare, nga një goditje e lirë e fituar nga Yll Hoxha, ku në të cilin ndërhyri Holman.

Nga një top në zonën kundërshtare, më së miri u gjet, Mendurim Hoti, i cili deklasoi portierin e Slavia Bratislavës me një goditje të fuqishme me të majtën.

Ky doli të ishte edhe goli i fundit në takim.

Tani gjithçka ka mbetur të qartësohet në takimin e dytë, që zhvillohet më 30 korrik, prej orës 18:00, në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.