Feronikeli ka arritur fitoren e dytë në Superligën e Kosovës në basketboll.

Skuadra nga Drenasi pas fitores ndaj Rahovecit, ka mundur Lipjanin me rezultat 89:84 (19:20, 24:24, 27:24, 19:16).

Përballja ka qenë dramatike dhe është vendosur në minutën e fundit, ku basketbollistët e Feronikelit kanë qenë më të vëmendshëm për të arritur fitoren e dytë në këtë edicion, derisa lipjanasit kanë pësuar humbjen e shtatë nga shtatë ndeshje të zhvilluara.

Pjesa e parë ka qenë shumë e barabaratë, ku çereku i parë përfundon 19:20, derisa ai i dyti 24:24. Feronikeli e fitoi periodën e tretë 27:24 dhe atë të fundit 19:16, me një fund dramatik, duke fituar ndeshjen me rezultat 89:84.

Te Feronikeli u dalluan Tyron Garland me 33 pikë dhe kapiteni Arti Hajdari me 26 pikë dhe dhjetë kërcime.

Ndërkohë, te Lipjani, basketbollistët që u dalluan ishin: Devaughn Jenkins me 29 pikë dhe 11 kërcime, Demarku Stuckey me 23 pikë, nëntë kërcime dhe shtatë asistime, si dhe Marquise Simuels me 18 pikë, pesë kërcime dhe nëntë asistime.

Feronikeli ka dy fitore dhe katër humbje në këtë edicion, derisa Lipjani shtatë humbje nga shtatë ndeshje të zhvilluara.