Feronikeli ka arkëtuar tri pikë të plota në derbin e fundjavës, ndaj Prishtinës, të zhvilluar në Stadiumin “Rexhep Rexhepi”, në Drenas.

Ndeshja u kontrollua nga vendësit gjatë gjithë kohës, duke mos lënë hapsira për befasi nga ekipi i kryeqytetit.

Goli i parë dhe i vetëm i takimit erdhi herët, kur në minutën e 9-të, futbollisti me numrin 7-të i Feronikelit, Mendurim Hoti, tundi rrjetën e mysafirëve, duke i lënë në disavantazh nga fillimi i takimit.

Goli i hershëm dha edhe më shumë qetësi te Feronikeli, duke qarkulluar topin me kujdes dhe duke pasur në kontrollë ndeshjen në pjesën e mbetur.

Feronikeli pati edhe raste tjera për ta dyfishuar epërsinë, por fati nuk ishte në anën e kapitenit, Lladrovci, i cili goditi me kokë shumë afër portës.

Gjatë pjesës së dytë, Feronikeli arriti ta dridhë edhe transversën kundërshtare, ku pas një tollovie në zonën e Prishtinës, Prekazi nuk arriti të dyfishojë epërsinë.

Rast tjetër, krejt në fund të ndeshjes pati edhe sulmuesi i inkuadruar në lojë, Kastriot Rexha, goditja e të cilit shkoi disa centimetra largë transversalës.

Feronikeli tani ka 6 pikë pas tri xhirove të zhvilluara.