Kf Feronikeli e ka nisur me këmbë të mbarë sezonin e ri, duke e mposhtur në “Rexhep Rexhepi” skuadrën e Drenicës, me rezultat bindës 4-1.

Pjesa e parë ishte me një dominim të lehtë të Feronikelit, por me kundërsulme tejet të rrezikshme të Drenicës, të cilat nuk konkretizoheshin.

Kastriot Rexha zhbllokoi rezultatin, duke shënuar për 1-0, në minutën e 41-të, rezultat me të cilin përfundoi fraksioni i parë.

Në pjesën e dytë, u tregua tjetër fytyrë e Feronikelit.

Skuadra vendëse ishte shumë më e rrezikshme dhe kjo edhe iu shpërblye, pasi arriti ti shënojë edhe tre gola të tjerë.

Së pari Jean Carioca, realizoi nga pika e bardhë për 2-0, pas një prekje të topit me dorë në zonën kundërshtare.

Për 3-0 u përkujdes përsëri sulmuesi shtatlartë, Kastriot Rexha, gol pas të cilit edhe Drenica reagoi, duke ngushtuar disavantazhin në 3-1, me anë të Prokshit.

Për rezultatin përfundimtar u përkujdes i inkuadruari në pjesën e dytë, Besmir Bojku, i cili realizoi në minutën e 87-të.

Pas kësaj fitoreje, Feronikeli arkëton tri pikët e para të sezonit 2019/20.