Përfaqësuesi i Malit të Zi, mesfushori, Krkotic është futbollisti më i ri i Feronikelit, në këtë afat kalimtar.

Krkotic është futbollist malazez, i lindur në vitin 1987, pozita e tij e preferuar është  mesfushor sulmues, por është i aftë të luajë edhe në krahun e majtë të mesfushës, gjithashtu edhe si anësor i majtë.

Ai është takuar gjatë ditës së hënë me presidentin e KF Feronikelit, Naser Ramaj, për të nënshkruar kontratën me të cilën do ti mbrojë ngjyrat e klubit kampion të Kosovës.

Milos Krkotic së fundmi ishte pjesë e Buducnost Podgorica, mirëpo më herët kishte mbrojtur edhe ngjyrat e Bali United.

Krkotic ka bagazh edhe në garën e Europa League, me 12 paraqitje gjithsej, ku ka shënuar një gol dhe ka dhuruar një asisit. Kurse në kuadër të UEFA Champions League, ka vetëm një paraqitje.

Mesfushori malazez, gjatë sezonit 2017-18, ishte pjesë e skuadrës nga Superiorja Shqiptare, KF Kukësi, me të cilët kishte gjithsej 14 paraqitje.

Krkotic është 1,85m i gjatë, i lindur në Podgoricë, kurse këmba e tij e preferuar është e majta.

Gjatë karrierës së tij ka gjithsej 149 paraqitje, nga të cilat 36 herë ka arritur të tundë portën kundërshtare. Ai që nga sot ka filluar stërvitjet me klubin e tij të ri, KF Feronikelin.