Peja ka shënuar fitore me shumë mund ndaj Feronikelit në “Karagaç” me rezultat 89:95 (20:21, 16:21, 20:23, 33:30) në kuadër të javës së katërt të Superligës.

Ndeshja është zhvilluar në palestrën ‘Karagaçi’ edhe pse Feronikeli ishte vendas, megjithatë, për shkak se palestra në Drenas ende nuk është e gatshme, takimi u zhvillua në Pejë.

Ndeshja ka qenë shumë interesante dhe e barabartë, derisa pejanët në minutën e fundit siguruan fitoren. 20:21 për Pejën përfundoi çereku i parë, derisa ai i dyti 16:21 dhe i treti 20:23. Kur u mendua se Peja do të shënonte fitore të sigurtë, Feronikeli luftoi deri në fund dhe arrin të barazojë rezultatin në 82:82. Më pas ishte rezultat i ngushtë 85:86 dhe 89:90. Peja fitoi në fund 89:95.

Tyrlon Garland me 29 pikë ishte më i dalluari te Feronikeli.