Milan ka fituar takimin e parë historik të luajtur në Kosovë, kundër skuadrës kampione të Kosovës, Feronikeli, me rezultat 0-2.

Ndeshja u zhvillua në kryeqytet, në Stadiumin “Fadil Vokrri” dhe ishte hera e parë që një skuadër e kalibrit të Milanit, zbarkon në këtë stadium.

Milan qarkullonte topin më shumë që nga fillimi i takimit, me Feronikelin që në anën tjetër mundohej të befasonte skuadrën nga Serie A.

Sidoqoftë, ishte minuta e 26-të, kur ylli i Milanit, Suso, dënoi skuadrën tonë me një goditje të saktë nga goditja e lirë.

Feronikeli megjithatë tentonte kohë pas kohe të nisej me kundërsulme të shpejta, por pa finalizim dhe pa rrezikuar seriozisht portën e Donnarumas.

Në pjesën e dytë, të dyja skuadrat freskuan ekipin, me zëvendësime të shumta.

Në lojë u fut, Bojku, Thaçi, Shala, Morina, Troshupa, Doshlaku për tu larguar nga loja, Lladrovci, Dabiqaj, Smakiqi, Islami, Carioca, Hoti.

Edhe gjatë pjesës së dytë, Milani shënoi edhe një herë, për ta dyfishuar epërsinë me anë të Fabio Borinit, në minutën e 58-të.

Ky mbeti edhe rezultati përfundimtar i kësaj miqësoreje historike të zhvilluar në “Fadil Vokrri”.