Portali gazetasheshi, si shumë raste të tjera edhe sot ka gjetur kohë që ta sulmojë pa bazë klubin e KF Feronikelit.

Madje me shumë gabime drejtshkrimore, portali i lartcekur, pretendon se ka burime brenda klubit, që ta sulmojë me e pa arsye KF Feronikelin.

KF Feronikeli nuk i ka mohuar asnjë futbollisti të klubit paradhënien, ata janë të lirë ta marrin atë më mirëkuptim me klubin.

Ndërsa, në anën tjetër, se futbollistët nuk kanë komunikim me Presidentin, Ramaj, as kjo nuk qëndron, por edhe nëse nuk ka nevojë të ketë komunikim direkt me Presidentin, në klub ka hierarki që kryen punët në mënyrë tejet profesionale.

Si klub na vjen keq, që duhet të reagojmë ndaj portaleve që gabojnë edhe në titull të shkrimit, por për shkak të sqarimit të opinionit të gjerë, jemi të obliguar në njëfarë mënyrë që ta bëjmë një gjë të tillë.

KF Feronikeli ka qenë dhe është klubi më korrekt sa i përket pagave dhe kontratave dhe kjo s’ka arsye të ndryshojë as tash e tutje.

Gjithashtu, në vargun e sulmeve ndaj klubit, portali në fjalë ka konfirmuar që kemi marrëveshje me trajnerin Bylbyl Sokoli, e po ashtu ka cituar “mediat në Shqipëri”, se kemi marrëveshje edhe me trajnerin tjetër Gugash Maganin.

Siç duket, ata duan të na bëjnë me dy trajnerë njëkohësisht, por klubi KF Feronikeli e konfirmon që nuk ka pas asnjë lloj kontakti me asnjërin prej dy trajnerëve të njohur.

Portali gazetasheshi, që drejtohet nga dikush që nuk duhet ta ketë atë portal, siç duket si bazë të parë e ka dëmtimin e klubit të Feronikelit, por duhet ta dijë që nëse vazhda e lajmeve të tilla të pabaza vazhdon, klubi do të ndjekë rrugët tjera ligjore.

Ne nuk duam të dëmtojmë askënd, jemi në bashkëpunim të thellë me mediat, por me ato korrekte, që së pari komunikojnë me klubin, konfirmojnë lajmin e pastaj plasojnë atë në treg.

Gazetasheshi e ka tejkaluar çdo cak të mundshëm të profesionalizmit, madje me nguti për të shkruar lajmet, ka gabime thelbësorë, si kënaqësi që e arrijnë me “përuljen” e klubit Kampion të Kosovës.

Lusim fansat e KF Feronikelit që ta bojkotojnë portalin, pasi që lajmet që po lansohen nga aty, janë të pavërteta, të pa konfirmuara dhe janë lajme të natës, që dikush i sheh në ëndërr.

Portale të tilla, në radhë të parë nuk duhet të ekzistojnë fare, e në radhë të dytë nuk duhet të drejtohen nga dikush që luan rol të dyfishtë, e në radhë të tretë duhet të bojkotohen nga masa e gjerë.

KF Feronikeli ka përballë sfidën ndaj Milanit, me 10 gusht në “Fadil Vokrri”, sfidë kjo më e madhja miqësore e luajtur ndonjëherë në Kosovë, prandaj gjërat e mëdha në vazhdimisht i kemi dëshmuar në fushë, aty ku do të vazhdojmë ti dëshmojmë edhe më tutje.

Në fund, por jo për nga rëndësia, falënderojmë të gjithë futbollistët që kanë dhënë kontributin e tyre për klubin e gjithashtu edhe shtabin teknik.