Prishtina dhe Feronikeli janë ndarë baras, 1 – 1, në ndeshjen derbi të xhiros së 21-të, në IPKO Superligën e Kosovës.

Atmosferë fantastike mbretëroi gjatë gjithë takimit dhe kjo reflektoi edhe në fushë, me të dyja skuadrat që luanin lojë të hapur.

Prishtina u tregua më me fat në sulm, përkundër faktit që Feronikeli ishte më kërcënues nga minuta e parë. Kryeqytetasit, shënuan për 1-0, në minutën e 17-të, me golin e Bekteshit.

Feronikeli tentonte vazhdimisht të kthehej në lojë, duke bërë lojë më sulmuese dhe duke u kujdesur për kundërsulmet e Prishtinës. Kjo krijoi futboll të bukur, për shumë tifozë të mbledhur në “Fadil Vokrri”.

Sulmet e shpeshta dhanë fryt. Mendurim Hoti realizoi për 1-1, në minutën e 65-të.

Feronikeli mund të kishte shënuar edhe golin e fitores pasi rastet ekzistonin, por rrjetat nuk u tundën më dhe skuadrat u ndanë baras.

Feronikeli ruan kreun me 49 pikë, 5 pikë më shumë se Prishtina që gjendet në të dytin.

6 Mars, 2019