Feronikeli ka dhuruar ndeshjen më të mirë këtë edicion, të zhvilluar sot (e enjte), në Rexhep Rexhepi, kundër klubit nga kryeqyteti, Flamurtari.

Raste të njëpasnjëshme për gol u krijuan në pjesën e parë, me Hotin që tentoi dy herë, e pastaj Rexha e Fazliu goditjet e të cilëve nuk hynin asessi në portën kundërshtare, madje goditja e Astrit Fazliut qëlloi edhe shtyllën.

Hoti në tentimin e tretë të tij u tregua i suksesshëm, pasi kësaj radhe topi përfundoi në rrjetë, saktësisht në minutën e 39-të, të takimit.

Në pjesën e parë nuk pati gola të tjerë, përkundër rastit të qindpërqind të Jean Cariocas.

Pjesa e dytë filloi ashtu si e para, me Feronikelin që kërkonte golin e dytë, atë të sigurisë.

Hoti përsëri protagonist, ku në minutën e 50-të, pas një asisti të saktë nga Rexha, dërgoi një goditje precize në këndin e majtë të portierit, Selimaj.

Megjithatë, Flamurtari arriti të ngushtojë epërsinë në 2-1, me golin e Shend Kelmendit , në minutën e 72-të.

Rast për të trefishuar epërsinë pati i inkuadruari në lojë, Yll Hoxha, kur goditi shtyllën nga një goditje dënimi, në minutën e 86-të.

Feronikeli tani gjendet në pozitën e tretë, me nëntë pikë, kurse Flamurtari mbetet me shtatë pikë, në pozitën e gjashtë.

19 Shtator, 2019