Feronikeli ka humbur me rezultat 3-2, takimin e xhiros së dytë ndaj Ballkanit, të zhvilluar të mërkurën në Suharekë.

Ndeshja filloi me ndërprerje, pasi delegati i takimit largoi shikuesit që nuk ishin në listë të hyrjes jashtë tribunës, duke ndalur ndeshjen për më shumë se 10 minuta.

Ballkani lujati dukshëm më mirë në pjesën e parë, duke realizuar dy gola nëpërmjet sulmuesit, Mirlind Daku.

Në pjesën e dytë, Ballkani realizoi edhe golin e tretë, përsëri realizoi Daku.

Pikërisht kur pritej një rënie e Feronikelit, skuadra nga Drenasi u ringjall dhe realizoi dy gola të shpejtë me anë të sulmuesit brazilian, Marclei, i cili shënoi në minutat 84, respekivisht 88.

Kujtojmë që në minutën e 74, Dabiqaj pati mundësinë të realizonte nga pika e bardhë, por goditjen e tij e priti Haxhihamza i Ballkanit.

Në minutën e fundit të kohës së rregullt, mundësi të barazonte rezultatin pati edhe braziliani tjetër i skuadrës, Carioca, goditja me kokë e të cilit shkoi pranë portës kundërshtare.

Pas dy xhirove, Feronikeli arkëton 3 pikë, me një ndeshje të fituar dhe një të humbur.

Duhet cekur fakti që Ballkani ndeshjen e parë ndaj Besës së Pejës e zhvilloi të shtunën, ndërsa Feronikeli ndeshjen e parë e zhvilloi të dielën ndaj Gjilanit, duke pasur rreth 24 orë më pak në dispozicion për tu përgatitur.

23 Shtator, 2020