Feronikeli ka shënuar fitore tejet të rëndësishme në ndeshjen derbi ndaj Drenicës, të cilën e mposhti në “Bajram Aliu”, me rezultat minumal 0-1.

Pjesa e parë prodhoi raste, por jo edhe gola. Rastin më të mirë e pati Kastriot Rexha, kur goditja e tij me kokë shkoi shumë pranë shtyllës.

Në pjesën e dytë u shënua goli i vetëm i sfidës së sotme (e shtunë).

Astrit Fazliu shënoi me kokë në minutën e 66-të, një gol tejet të bukur, i cili doli të ishte edhe vendimtar për Feronikelin.

Mendurim Hoti më pas pati rastin ta dyfishojë epërsinë, por gjuajtja e tij e fuqishme nga distanca, përfundoi në transversën kundërshtare.

Më vonë edhe Zeka pati rast të mirë, nga një depërtim i shpejtë i Yll Hoxhës, por rrjetat nuk u tundën më.

Feronikeli tani është lider i vetëm në tabelën e Superligës së Kosovës, me 71 pikë, dy më shumë se ndjekësi Prishtina.

4 Maj, 2019