Feronikeli ka fituar finalen e Raundit Preliminar të UEFA Champions League, duke mposhtur skuadrën e Santa Colomas, me rezultat 2-1.

Ndeshja filloi më mirë për vendësit, që tentonin vazhdimisht golin, veçanërisht me dy raste të mira të Mevlan Zekës.

Pjesa e parë përfundoi pa gola, duke mos u tundur rrjetat në asnjërën gol.

Pjesa e dytë filloi në mënyrën më të keqe për Feronikelin, kur në minutën e 49-të, gjyqtari ndëshkoi me kartonin e dytë të verdhë, mbrojtësin Yll Hoxha.

Sikur të mos mjaftonte kjo, Feronikeli u gjet edhe në disavantazh, pasi Santa Coloma arriti epërsinë në minutën e 52-të, me golin e Sosas.

Atë që nuk arriti në të parën, Zeka e bëri në pjesën e dytë, duke barazuar shifrat në 1-1, me golin e tij në minutën e 58-të. Gol të cilin i dedikoi futbollistit të ndjerë, Triumf Shabani, i cili sot shënoi përvjetorin e pestë që nga ndarja nga jeta.

Goli i Zekës ngjalli Feronikelin edhe më shumë, të cilët nuk vërenin disavantazhin e një futbollisti.

Kur të gjithë prisnin vazhdimet, kështu nuk mendoi Kastriot Rexha, i cili  realizoi në mënyrën që di më së miri, me kokë, në minutën e 87-të.

Ky doli të jetë goli vendimtar i fitores, pasi që rrjetat nuk u tundën më.

Feronikeli tani do të bëjë pjesë në Raundin e Parë të kualifikimeve të UEFA Champions League dhe ndeshjen tjetër do ta luajë si mysafir i skuadrës nga Uellsi, TNS.

28 Qershor, 2019