Ashtu siç po njoftohemi çdo ditë nga IKSHPK, numri i rasteve të reja, pozitive me COVID-19, është në rritje ditëve të fundit.

Si pasojë e kësaj, Ministria e Shëndetësisë, ka vendosur masa të reja, duke kërkuar që numri i rasteve të reja të infektuara, të zbritet sa më shpejtë.

Me masat e reja të Ministrisë së Shëndetësisë, është prekur edhe Superliga e Kosovës.

Në stadium nuk do të ketë asnjë të pranishëm, përveç futbollistëve dhe stafit!

Dyert e stadiumit do të jenë të mbyllura për ndeshjen ndaj Ballkanit dhe e vetmja mundësi për ta parë ndeshjen mbetet në TV, përmes platformës Artmotion.

Të gjithë ata që tentojnë të hyjnë në stadium, do të largohen nga Policia e Kosovës me kërkesë direkt nga Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK, prandaj për të mos ardhur deri te ajo, lusim që ndeshjen ta shikoni nëpërmjet TV.

Deri më tani, të pranishëm në stadium kanë qenë vetëm personat emri i të cilëve ka qenë në listën hyrëse, mirëpo tani me urdhërin e ri nga Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK, nuk do të ketë listë hyrëse dhe dyert në stadium do të jenë të mbyllura për të gjithë.

Kërkojmë mirëkuptim nga ju, përkrahës të FC Feronikelit, mirëpo siguria e të gjithëve është në rend të parë dhe nuk duhet të cenohet!

4 Nëntor, 2020