Ferronikeli kampion i Ipko Supërligës!

Urime futbollistë, trajner, qytetarë të Drenasit dhe Drenicës, në veçanti gëzuar për tifozët tanë besnik, “Tigrat e Zi”.

U rikonfirmua edhe një herë, pse jemi kampion! Fitorja e sotme, ballë për ballë me pretendentin për titullin kampion, e vulosi punën tonë njëvjeçare.

Sporti me shpirt garues, fitoi. Fitoi besimi i futbollistëve tanë, prej xhiros së parë, se do të rikthehemi kampion, në krye të tabelës.

Shumë punuam që ta arrijmë këtë.

Faleminderit nga zemra të gjithë kontribuuesve për këtë titull.

Qytetarët e Drenasit, e kanë merituar këtë titull të kampionit, sepse, vërtetë jemi më të mirët.

Kjo ditë, nuk ishte aq e shpejtë për të qenë kampion.

Megjithatë, ishte ditë që u nisë, nga vullneti i mirë, gjithsesi, nga dashuria ime për komunën time, për të rinjtë tanë dhe për sfidën: Çfarë po bëj për vendin tim!

Sporti, nuk ishte hapësirë e njohur për mua, por, për mua ishte e njohur komuna ime dhe qytetarët e saj që dy herë, kishin qenë kampion nacional dhe disi lëkundej besimi në klubin e Feronikelit.

Sfida, tashmë kishte marrë udhë, pas takimit me kryetarin e komunës së Drenasit, Z. Lladrovci, edhe pse, sporti, nuk ishte lëmi imja profesionale apo synim imi si preokupim ditor.

Megjithatë, unë besoj, prandaj, erdha në krye të klubit, me përkushtimin dhe qëndrueshmërinë e një fushe krejt tjetër, në fushë të futbollit.

Sot, ndjehem mirë.
Sot, ndjehem krenar. Me meritë, jemi kampion.

Jam krenar me qytetarët e Drenasit dhe Drenicës por edhe tifozët ku luajtëm në tërë Kosovën, duke na përcjell nga java në javë, nga fitorja në fitore, së bashku me futbollistët e shkëlqyer të Feronikelit, me trajnerin e përkushtuar dhe me ekipin teknik.

Sot, përkundër dilemave dhe shqetësimeve (rruga ime e kaluar me mijëra kilometra-çdo javë) për ta përcjell ekipin tonë, u shpagua, sepse sot, nga Presidenti Thaçi, e morëm trofeun e synuar dhe të gjitha i harrojmë.

Ne do të ecim bashkë tutje, për fitoret e reja, për sukseset e reja.
Futbollistët tanë, e meritojnë këtë, trajneri Zekirja e meriton këtë, qytetarët e Drenasit e meritojnë suksesin.

Edhe unë, nuk do të ndalem që Feronikeli, ta tejkalojë famën nacionale, edhe në skenën ndërkombëtare.
Për këtë, jemi gati të gjithë, sepse ne mundemi dhe duam, për Feronikelin tonë, sportin e sportdashësit tonë, Drenasin dhe Kosovën tonë.

Në këtë qëllim fisnik, na ndihmoftë Zoti!

20 Maj, 2019