KF Feronikeli vazhdon të jetë lider i Superligës së Kosovës në futboll edhe pas xhiros së 29-të.

Feronikeli ndeshjen e fundit ndaj Gjilanit e fitoi pa ndonjë problem në stadiumin “Rexhep Rexhepi, duke fituar me rezultat 2:0, shkruan Insporti.com.

Trajneri i Feronikelit, Zekirja Ramadani edhe në në këtë ndeshje nuk mundi të llogariste në shërbimet e futbollistit Hamid Kone.

Ishte raportuar se Kone dhe Ramadani ishin përplasur dhe ky i fundit e ka suspenduar nga skuadra, një ndër futbollistët më të paguar në futbollin kosovar.

Insporti ka kontaktuar me presidentit e klubit, Naser Ramaj, i cili ka mohuar zërat se Ramadani ka suspenduar Konen.

Ramaj për Insporti ka deklaruar se gjithçka është në rregull dhe se Kone vazhdon të jetë pjesë e skaudrës.

“Jam takuar me Kone të shtunën e kaluar, kam biseduar me të për të sqaruar situatën dhe i kam kërkuar që të takohet me trajnerin Ramadani për t’i kërkuar fajle. Ramadani dhe Kone janë takuar sot dhe raportet e tyre janë në rregull. Kone vazhdon të jetë pjesë e skuadrës”, ka deklaruar Ramaj.

Presidenti i “Niklit” po ashtu ka thënë se futbollisti nga Bregu i Fildishtë nuk është më i paguari në Superligë, pasi ka futbollistë të klubeve të tjera që janë më të paguar se ai.

“Kone nuk është më i paguari, ka një pagë të mirë por nuk është. Ai ka kontratë me Feronikelin deri në fund të sezonit”, përfundoi ai.

Kone dhe Ramadani kishin një mos marrëveshje gjatë ndeshjes së Kupës së Kosovës ndaj Ballkanit, pasi Kone nuk ishte i kënaqur me zëvendësimin.

Tekniku shkupjan gjithashtu foli edhe për tensionin që pati me Hamed Konen gjatë momentit të zëvendësimit.

 

“Janë gjëra që ndodhin në çdo klub. Pata një diskutim me Konen, pasi që i kam thënë edhe më herët që kampionati në Kosovë nuk bën të nënvlerësohet dhe pa vrapuar nuk mund të fitosh. Mbetet për ta parë analizën e lojës dhe ti qartësojmë disa gjëra”, kishte thënë pas ndeshjes Ramadani.

“Industrialistët” ndeshjen e parë gjysmëfinale e kanë fituar me rezultat 2:1 dhe janë lider të Superligës me 68 pikë. /Insporti.com

29 Prill, 2019