Feronikeli ka shënuar fitore bindëse dhe tejet të rëndësishme ndaj Dritës, me rezultat 4-1, në takimin e xhiros së 31-të, të zhvilluar në “Rexhep Rexhepi”.

Ndeshja filloi me raste të Feronikelit, kur vetëm pas 5 minutave lojë, Rexha rrezikoi portën kundërshtare, duke dhënë sinjal se do të ketë gola.

Në minutën e 36-të erdhi goli i parë në ndeshje, me Kastriot Rexhën që u fut bukur në zonë, për të zhbllokuar rezultatin.

Me këtë gol përfundoi pjesa e parë e takimit, duke shkuar në pushim të mes pjesëve me epërsi minimale 1-0, të Feronikelit.

Me të filluar pjesa e dytë, Carioca shënoi për 2-0, në minutën e 47-të.

Drita arriti ta ngushtojë epërsinë, me golin e Shaqirit në minutën e 63-të, por shpejt u kundërpërgjigj Feronikeli, duke shënuar Kastriot Rexha për 3-1, në minutën e 70-të.

Mendurim Hoti u përkujdes për rezultatin përfundimtar 4-1, me golin e tij në minutën e 86-të.

Feronikeli tani ka 74 pikë dhe kryeson renditjen tabelare në Superligën e Kosovës, kur kanë mbetur vetëm edhe dy xhiro për tu zhvilluar.

11 Maj, 2019